Dona Kosturanova, drejtoreshë ekzekutive e Forumit Arsimor Rinor

Të rinjtë do të hyjnë në BE, me Maqedoninë ose pa të  

Cilat janë problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Maqedoni?

Të rinjtë në Maqedoni janë një e katërta e banorëve të vendit tonë, por megjithatë ata përballen me shumë probleme. Papunësia, arsimi jocilësor, mungesa e mundësive për zhvillim personal, profesional dhe kulturor janë pjesë e jetës sonë. Ndërkohë që për disa çështje kanë përparim – për shembull, gjithnjë e më shumë të rinj mbarojnë arsimin e mesëm për shkak të arsimit të mesëm të detyruar edhe pse viteve të fundit po futen politika dhe qasje të reja për të ulur papunësinë e të rinjve – ka ende shumë probleme për të tejkaluar.

Çfarë i largon të rinjtë nga Maqedonia? A është vetëm papunësia dhe rrogat e ulëta apo ka edhe fajtorë të tjerë të cilët i shtyjnë që shpëtimin ta shohin jashtë shtetit?

Janë bërë shumë kërkime të cilat gjejnë shkaqe të ndryshme pse të rinjtë po largohen nga vendi, por pothuajse të gjitha hulumtimet që e përfshijnë qëndrimin për largim janë të ngjashme me gjetjet – shumica e të rinjve e shohin veten jashtë vendit. Mungesa e mundësive për punësim dhe rrogat e ulëta janë ndër arsyet kryesore.

Të dëshpëron fakti që pritet me vite pas përfundimit të arsimit për të marrë vendin e parë të punës. Edhe kur kjo arrihet, për shumë njerëz nuk është një njohje e cilësisë së tyre, por rezultat i lidhjeve apo librezave të partisë. Kjo dukuri frustruese shihet në faktin se shumë të rinj e shohin karrierën e tyre në administratën publike, d.m.th. nuk kanë besim dhe nuk ndihen të sigurt për t’u punësuar në sektorin privat ose të hapin vetë kompaninë.

Shumë të rinj shpërngulen në vende të tjera për shkak të arsimimit ose punësimit dhe shumë prej tyre vendosin të qëndrojnë atje pasi të përjetojnë një jete ndryshme – një shoqëri në të cilën përparon sipas aftësive të veta, në qytete ku merr ajër të pastër, me transport të lirë publik me të cilin mbërrin kudo dhe mund të përzgjidhni nga aktivitetet dhe ngjarjet e shumta se çfarë do të bëni çdo natë.

Çfarë është ajo që e ka një i ri në shtetin anëtar të BE-së, kurse nuk e ka moshatari i tij në vendin tonë?

Dallimet në jetën në një shtet në Bashkimin Evropian dhe jashtë tij janë të shuma. Shumë veta kanë harruar si dukej udhëtimi para dhjetë vjetësh, kur ekzistonin viza për Maqedoninë. Madje edhe udhëtimet të cilat duhej të ishin të thjeshta, si për shembull, deri në Bullgari, ishin të ngadalshme, të komplikuara dhe të shtrenjta për shkak të nxjerrjes së vizës. Për krahasim, sot mund të udhëtohet lirisht në shumicën e shteteve evropiane. Anëtarësimi në BE do ta lehtësojë edhe më tepër këtë, sepse do të udhëtohet pa pasaportë, pa roaming dhe pa leje të veçanta për punë dhe praktikë.

Të rinjtë në BE mund të lëvizin lirisht nëpër shtetet anëtare – të studiojnë në një shtet, të shkojnë për praktikë në shtet tjetër dhe të punësohen në një shtet të tretë.

Të rinjtë në BE mund të studiojnë në të gjitha universitetet e shteteve të tjera anëtare, me kushte dhe tarifa pagesore si shtetasit e vendit ku është universiteti. Tjetër çështje është cilësia e arsimit, sepse në shtetet anëtare të BE-së ka mbi 100 universitete që janë midis 500 universitetet në Listën e Shangait, kurse në Maqedoni nuk ka asnjë. Studentët dhe të rinjtë në BE kanë lirime të mëdha në transport, ushqim dhe për shpenzime të tjera.

Një prej dallimeve më të mëdha janë lirimet në institucionet e ndryshme kulturore. Ndërkohë që në Maqedoni 1/3 e të rinjve nuk kanë qenë asnjëherë në kinema, në BE ka shumë opsione për një jetë kulturore cilësore, nga muzetë dhe teatrot, deri në festivale, koncertet, kultura alternative, qendrat rinore kulturore dhe evenimente dhe hapësira të tjera.

A do ta zgjidhte problemin e shpërnguljes së të rinjve hyrja në BE apo do ta zmadhonte edhe më shumë? A do ta bënin Maqedoninë një vend më të mirë për të jetuar dhe qëndruar reformat të cilat duhet të zbatohen para hyrjes në BE, apo Maqedonisë gjithsesi nuk i ikën epiteti – vendi i pensionistëve?

Është e vështirë t’i jepet përgjigje e saktë kësaj pyetjeje, nuk është e lehtë të parashikohen trendet dhe ngjarjet para kaq shumë kohe. Nëse shikojmë nga perspektiva e vitit 2005, kur Maqedonia e ka marrë rekomandimin për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, rrallë kush mund të parashikonte atëherë se 10 vjet më vonë nuk do të jemi asnjë hap afër tij.

Në aspektin e shpërnguljes, ndikojnë faktorë të ndryshëm, përkatësisht faktorë të tërheqjes dhe refuzimit. Nëse faktorët që tërheqin janë, për shembull, familja dhe miqtë, kurse të refuzimit – kërkimi për punë më të mirë, në Maqedoni si shoqëri evropiane kjo do të ndryshojë. Faktorë të tërheqjes mund të bëhen standardi më i lartë ose papunësia e ulët, kurse të refuzimit, përkatësisht faktorë për shpërngulje, mund të jenë lëvizja e lirë e njerëzve dhe qasja te tregu i punës.

Shumë të rinj e përfytyrojnë aderimin në BE si garë, kurse hyrje në BE si shpërblim. Në të vërtetë vetë aderimi është shpërblim, sepse ai është proces nëpërmjet të cilit shteti vendos qëllime dhe merr mbështetje që të bëhet më mirë. Përkatësisht nuk hyjmë në BE, por bëhemi BE.

Сите објави од: Artikuj Eureka

#ЗачекориНапред  #изборотЕтвој