Në familjen evropiane, të dhënat personale janë të shenjta

Gjatë vitit 2016 dhe 2017, Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale ka marrë 578 ankesa gjithsej prej qytetarëve për keqpërdorim të të dhënave personale, kurse ka kryer 187 mbikëqyrje inspektuese me iniciativë personale

Në fillim të vitit 2015 kur LSDM-ja, parti në opozitë në atë kohë, e filloi fushatën “E vërteta për Maqedoninë” me organizim të konferencave për shtyp ku janë lëshuar të ashtuquajturat “bomba”, përkatësisht audiomaterialet të xhiruara në mënyrë të paligjshme nga policia sekrete, publikut i është qartësuar se personave të përgjuar u është shkelur e drejta fondamentale e privatësisë. Prokuroria Speciale Publike, e cila e mori kompetencën për këto xhirime përcaktoi se janë përgjuar mbi 5.000 qytetarë.

Në raportin ekspert të Bashkimit Evropian mbi përparimin e Maqedonisë për vitin 2015 është theksuar se Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Republikën e Maqedonisë duhet të fillojë hetimin e vet për bisedat e përgjuara. Drejtori i atëhershëm i Drejtorisë tha se institucioni nuk ka marrë një rekomandim të tillë dhe se bëhet fjalë për keqinterpretim të raportit.

Dy vjet më vonë, gjatë vitit 2016 dhe 2017. Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka marrë 578 ankesa gjithsej prej qytetarëve për keqpërdorim të të dhënave personale, kurse ka kryer 187 mbikëqyrje inspektuese me iniciativë personale.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe, Drejtoria ka vërtetuar shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në 196 raste, prej të cilave 50 janë në periudhën nga janari deri në fund të gushtit të vitit 2017. Mandej, deri në fund të vitit 2017 janë realizuar 297 mbikëqyrje, prej të cilave 155 të rregullta, 132 të jashtëzakonshme dhe dhjetë kontrolle. Në aspektin e rëndësisë së mbrojtjes së të dhënave personale gjatë ndjekjes së komunikimeve mund të konstatohet se ekziston hapësirë për përmirësim të theksueshëm në këtë fushë, si në aspektin e përmirësimit të kornizës ligjore, ashtu edhe në pjesën e zmadhimit të rolit institucional të DPDHP-së dhe të obligimeve dhe përgjegjësive të operatorëve elektronikë të komunikimit.

Pasi të bëhet Republika e Maqedonisë pjesë e familjes evropiane, institucionet shtetërore do të kenë qasje të drejtpërdrejtë në infrastrukturën e tërësishme të Agjencisë Evropiane për të Drejtat Fondamentale për reformat kryesore në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore. Kjo do të thotë se BE-ja do të mbështesë sistemin e menaxhimit me lëndët gjyqësore, kurse kështu do të mbështesë direkt edhe efikasitetin e gjyqësorit në zvogëlimin e lëndëve të mbetura. Në pjesën e të drejtave themelore, Agjencia, si edhe shtetet e tjera, ashtu edhe Maqedoninë do ta ndihmojë në përparimin e kornizës juridike për mbrojtjen e të dhënave personale dhe kontroll të sistemit të ndjekjes së komunikimeve elektronike.

Mbrojtja e të dhënave personale është një nga vlerat fondamentale të Bashkimit Evropian në aspektin e të drejtave të njeriut të cilit Bashkimi Evropian i kushton vëmendje të veçantë. BE-ja ka miratuar disa direktiva të cilat lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale, midis të cilave më e rëndësishmja është Direktiva nr.46/95, kurse mandej edhe Direktiva 2002/58/BE, e cila lidhet me përpunimin e të dhënave personale dhe mbrojtjen e privatësisë në sektorin për komunikime elektronike (Drejtoria për Privatësi dhe Komunikime Elektronike) si dhe Direktiva 2006/24/BE për mbajtjen e të dhënave të krijuara apo përpunuara në lidhje me sigurimin e shërbimeve të qasshme elektronike komunikuese apo rrjeteve publike komunikuese. Sipas të drejtës së Bashkimit Evropian, mbrojtja e të dhënave për herë të parë është rregulluar me Direktivën për Mbrojtjen e të Dhënave. Sipas të drejtës së BE-së, mbrojtja e të dhënave njihet si e drejtë themelore.

Me qëllim që të sigurohet zbatim i tërësishëm dhe i qëndrueshëm i legjislacionit të BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale nga shtetet e saj anëtare, si dhe nga institucionet e saj, janë formuar trupa kontrollues dhe organe mbikëqyrëse, siç janë Grupi i Punës 29 dhe Organi Mbikëqyrës Evropian për Mbrojtjen e të Drejtave Personale.

Trendet globale bashkëkohore të digjitalizimit ndikojnë mbi mekanizmin e mbrojtjes së të dhënave personale. Globalizimi dhe digjitalizimi rezultojnë me një shoqëri më të madhe të rrjetëzuar, me zgjerim të shpejtë të informacioneve nëpërmjet internetit, analizë më të madhe të të dhënave, ekonomi digjitale “smart living” (jetesë e zgjuar), baza të dhënash të cilat janë të lidhura ndërmjet tyre etj. E gjithë kjo rezulton me zmadhim të qarkullimit ndërkombëtar të të dhënave, madje edhe me natyrë personale, kështu që krijohet nevoja për mënyrë bashkëkohore dhe të sofistikuar të mbrojtjes së të dhënave personale.

Në këtë drejtim, më 27 prill 2016, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, e miratuan Normativën e përgjithshme të mbrojtjes së të dhënave personale [(BE) 2016/679] për mbrojtjen e personave fizikë në raport me përpunimin e të dhënave personale dhe lëvizjen e të dhënave të tilla, që filli të zbatohet më 25 maj të këtij viti.

“Me hyrjen në fuqi të kësaj normative, filloi procesi i zbatimit të dispozitave me të cilat rregullohet në mënyrë të detajuar dhe të unifikuar funksioni Oficer për mbrojtjen e të dhënave personale (OMDHP). Kjo do ta përforcojë mbrojtjen e të dhënave për të gjithë individët në BE, pa marrë parasysh ku gjenden të dhënat. GDPR-ja vendos standarde më të larta për mbrojtjen sesa rregullimi i deritanishëm legjislativ për të njëjtën çështje. Duhet të përcaktohet saktësisht identiteti i kontrolluesit, si edhe pala e tretë e cila do të përfshihet në procesin e përpunimit të të dhënave personale, kurse mandej të përcaktojë edhe pse janë të nevojshme ato të dhëna dhe çfarë planifikon të bëjë me to. Normativa është e obliguar me ligj dhe drejtpërdrejt e zbatueshme për të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Edhe pse Republika e Maqedonisë nuk është anëtare (por është me status kandidat nga viti 2006), interesi themelor i shtetit është ta harmonizojë legjislacionin nacional me legjislacionin e lartpërmendur të BE-së Në atë drejtim është përpiluar edhe propozim-ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale”, deklaroi Mihajllo Evrosimonovski, anëtar i Këshillit Drejtues të Bashkimi të Odave Ekonomike të Maqedonisë.

Subjektet afariste duhet të paraqesin edhe keqpërdorimet më të vogla të të dhënave në afat prej 72 orësh, nëse ato kanë efekt negativ mbi privatësinë e konsumatorit. Moslajmërimi për shkelje në suazat kohës së caktuar mund të rezultojë me gjobë në të holla deri në 10 milionë euro, ose 2 përqind të qarkullimit vjetor. Mosrespektimi i GDPR-së rezulton me gjoba administrative në të holla deri në 20 milionë euro, ose 4 përqind e qarkullimit të përgjithshëm vjetor nga viti i mëparshëm financiar.

Duke u nisur nga përcaktimi strategjik i Republikës së Maqedonisë për anëtarësim të ardhshëm në Bashkimin Evropian është e patejkalueshme nevoja për harmonizim të vazhdueshëm të kornizës ligjore për komunikime elektronike me normativën e BE-së, thonë nga Agjencia për Komunikime Elektronike. Politika e mirë normative, siç thonë ata, është parakusht për zhvillim efikas të tregut të komunikimeve elektronike, kurse zgjerimi i aktiviteteve në lidhje me sigurinë dhe integritetin e rrjeteve është me rëndësi të madhe për shtetin.

Сите објави од: Artikuj Eureka

#ЗачекориНапред  #изборотЕтвој